Rreth nesh
Rrjeti i Organizatave "Zëri i të Rinjve" është një organizatë joqeveritare e krijuar më 20 korrik 2018 me mision mobilizimin, integrimin dhe fuqizimin e potencialit rinor nëpërmjet ndërgjegjësimit, informimit, advokimit dhe shërbimet e lobimit në fushën e arsimit, kujdesit, shëndetësisë dhe punësimit. Rrjeti i Organizatave " Zëri i të Rinjve " fillimisht u krijua joformalisht në vitin 2014, me mbështetjen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) si pjesë e fushatës globale për përfshirjen e të rinjve në axhendën globale të zhvillimit të qëndrueshëm 2030.
Rrjeti ka krijuar një partneritet të qëndrueshëm me Kombet e Bashkuara në Shqipëri (OKB), nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në fushatat ndërgjegjësuese për OZHQ-të, por për më tepër në zbatimin e ndërhyrjeve për arritjen e OZHQ-ve 3,4,5,6,8,10,11,16, 17, të cilat synojnë shëndetin, arsimin, çështjet e barazisë gjinore, inovacionin, punësimin, promovimin e shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë dhe forcimin e partneriteteve rajonale dhe globale për zhvillim të qëndrueshëm.
Ky partneritet ndërmjet OKB-së Shqipëri dhe rrjetit synonte të arrinte të rinjtë dhe grupet më vulnerabël për t’u ofruar atyre një mundësi për të aksesuar mjetet, shërbimet dhe aftësitë e duhura për të përmbushur potencialin e tyre të plotë. Rrjeti është një nga dy rrjetet rinore në Shqipëri, por është i vetmi që punon në fushën e shëndetit dhe të drejtave seksuale dhe riprodhuese.
Ky rrjet përbëhet nga 21 organizata rinore dhe 2 klube rinore të specializuara në fusha të ndryshme të shëndetit seksual dhe riprodhues, arsimit, shërbimeve sociale dhe shëndetësore, të drejtave të njeriut, punës në komunitet dhe punës me grupet e margjinalizuara dhe më të cenueshme. Organizatat janë rrjetëzuar me njëra-tjetrën, duke zbatuar aktivitete të ndryshme në nivel kombëtar që nga tetori 2014.
Aktivitetet e realizuara nga ky rrjet kanë nxitur anëtarësimin e organizatave dhe të rinjve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.