Gjetjet paraprake të studimit të Rrjetit të Organizatave “Zëri i të Rinjve”mbi “Të kuptuarit e pengesave dhe sfidave me të cilat përballen të rinjtë dhe djemtë në promovimin e barazisë gjinore”
Më 17 Dhjetor 2024, Rrjeti i Organizatave “Zëri i të Rinjve” (YVNO), në bashkëpunim me UNFPA Albania, organizoi edicionin e pestë të forumit kombëtar “Boys and Men Who Inspire” në Tiranë. Ky event, i mbajtur për të pestin vit radhazi, solli së bashku përfaqësues nga institucione të ndryshme, komunitete fetare, grupe rinore, akademia, figura publike, artistë dhe të tjerë, duke adresuar sfidat dhe mundësitë për përfshirjen e burrave dhe djemve në promovimin e barazisë gjinore dhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore (GBV).
Gjatë forumit, YVNO prezantoi gjetjet paraprake të studimit kombëtar mbi perceptimet dhe pengesat që burrat dhe djemtë e rinj hasin në përfshirjen e tyre për barazinë gjinore. Studimi, i bazuar në një kampion prej 626 të rinjsh të moshës 15-29 vjeç nga 12 qytete shqiptare, ka si synim të ndihmojë në krijimin e politikave dhe strategjive për rritjen e angazhimit të burrave në mbështetje të barazisë gjinore. Ky raport është pjesë e projektit “Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri” (EVAWIA), një nismë e përbashkët e Kombeve të Bashkuara, financuar nga Qeveria e Suedisë dhe zbatuar nga UNFPA, UNDP dhe UN Women në partneritet me Qeverinë Shqiptare.
Ky dokument është një DRAFT dhe përmban gjetje paraprake. Ai nuk përfaqëson versionin final të raportit dhe mund të ketë ndryshime bazuar në analizat dhe komentet shtesë nga ekspertët dhe partnerët tanë.
Përmbajtja e raportit studimor
Raporti përmban një analizë të detajuar mbi sfidat dhe pengesat që hasin burrat dhe djemtë e rinj në angazhimin për barazi gjinore, bazuar në një studim të realizuar në 12 qytete të ndryshme të Shqipërisë me 626 të rinj të moshës 15-29 vjeç.
Gjetjet kryesore të raportit përfshijnë:
71.8% e të anketuarve e konsiderojnë barazinë gjinore si të rëndësishme, por një pjesë e tyre ndjejnë ende presion social për të mos u përfshirë në aktivitete që promovojnë këtë çështje.
Normat kulturore dhe mungesa e ndërgjegjësimit janë ndër barrierat kryesore që pengojnë djemtë dhe burrat të angazhohen për barazinë gjinore.
Politikat mbështetëse, si lejet prindërore të paguara dhe oraret fleksibël të punës, janë identifikuar si strategji thelbësore për të nxitur barazinë gjinore në familje.
Përfshirja e maskulinitetit pozitiv në kurrikula dhe fushatat ndërgjegjësuese në media sociale janë vlerësuar si qasje efektive për ndryshimin e perceptimeve gjinore.
Dëshira për të ardhmen: të rinjtë shprehen se reduktimi i dhunës me bazë gjinore dhe ndarja e barabartë e përgjegjësive familjare janë prioritetet kryesore që duhen adresuar.
“Normat kulturore dhe frika e paragjykimit mbeten pengesa kryesore për djemtë dhe burrat”
Mirgit Vataj,pjesëmarrës në studim; Presidenti i Urdhërit të Punonjësit Social”
Rekomandimet e raportit
📌 Rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimit mbi barazinë gjinore përmes fushatave të dedikuara dhe integrimit të tematikës në sistemin arsimor.
📌 Mbështetja e burrave dhe djemve të rinj për të marrë role më aktive në promovimin e barazisë gjinore dhe luftimin e stereotipeve sociale.
📌 Zbatimi i politikave të përgjegjshme gjinore, si lejet prindërore të paguara dhe oraret fleksibël në punë.
📌 Përfshirja e organizatave rinore dhe institucioneve qeveritare për të promovuar një qasje gjithëpërfshirëse në drejtim të barazisë gjinore.
Shkarko Draftin e Raportit: Linku për shkarkim
Ky është një draft paraprak dhe mund të ndryshojë në versionin final.
Na ndiqni në rrjetet sociale për më shumë përditësime
