
“Ndryshimi fillon tek vetja“
— Erika Zeqaj, Pjesëmarrese “Akademia e të Drejtave të Minoriteteve 2023”
Pas një periudhe historike të gjatë si një shtet ku kemi kaluar pushtime, kolonializëm dhe komunizëm, Shqipëria erdhi në një gjendje ku kishte nevojë për një ndryshim thelbësor. Shumë mendojnë se ky ndryshim po vjen ngadalë dhe se ka ardhur, por unë nuk mendoj ashtu. Kur flas për ndryshim, gjëja e parë që mendoj nuk është ndryshimi i reformave ligjore ose personave në pushtet, por ndryshimi në vepra, në aspektin e bashkëjetesës në shoqëri, respektin që kemi për njeri-tjetrin, edukimin, lirinë, barazinë, mosdiskriminimin dhe, me një fjalë përgjithësuese, rrëzimin e stereotipeve.
Sikurse e dimë, në vitin 1992 Shqipëria filloi rrugëtimin si një shtet demokratik, ku pati edhe një ndryshim në arenën politike. Por pika që dua të prek është: pas 31 vitesh, a ndryshuam ne si individë, a rrëzuam stereotipet që trashëguam si breza, a bërëm diçka për ndryshim? Fatmirësisht, dua të përmend se ka një përqindje të vogël që po arrin të ndryshojë, duke reflektuar dhe duke u munduar të transmetojnë këtë ndryshim edhe tek të tjerët, diçka shumë pozitive sepse, sipas meje, ndryshimi fillon tek individët, populli, për të vazhduar tek shteti. Por fatkeqësisht, pjesa më e madhe vazhdon po njësoj, disa me paragjykime, disa me frikë, dhe ka shumë persona që menjanohen nga frika në shoqëri. Sidomos tek të rinjtë, ka shumë raste që nuk mund të thonë atë që ndjejnë dhe mendojnë, duke besuar tek ligji i të fortit, ku nëse një person përdor arrogancën, është shumë më e lehtë të jetë i pranuar dhe në shumë raste më i pëlqyer nga rrethi ku ndodhet.
Më sipër përmenda disa problematika që kemi si shoqëri, por edhe një përqindje që po sjell ndryshime, si organizatat, që personalisht mendoj se bëjnë një punë të shkëlqyer me të rinjtë, duke i trajnuar në tematika të ndryshme me aktivitete të shumëllojshme. Unë ndihem shumë me fat që kisha mundësi të isha pjesë në një prej aktiviteteve që realizuan, sepse kam një periudhë të gjatë kohore që jetoj jashtë shtetit dhe mu dha mundësia të shikoj mendimet e bashkëmoshatarëve. Në fillim, u ndjeva shumë e lumtur dhe pozitive në aktivitetet sepse shumica paraqitën një anë shumë demokratike, por në biseda personale mora një zhgënjim të vogël se shumica kanë shumë stereotipe. Por sikur e shohim në përgjithësi, shoqëria jonë, rinia jonë, e kanë ende shumë të vështirë të pranojnë diçka ndryshe ose të mbështesin dikë që është më i dobët, të japin dorën dikujt që është rrezuar, të mbështesin dikë që bullizohet, të përkrahin minoritete ose grupime të ndryshme, si dhe shumë raste të tjera.
Si përfundim, dua ta mbyll duke shprehur një prej mendimeve personale kryesore, i cili është se vetëm me edukim mund të ecim përpara dhe se të gjithë duhet të jemi të hapur dhe të pranojmë ose respektojmë idetë dhe mendimet e njeri-tjetrit, dhe nëse kanë diçka gabim, t’ju tregojmë njeri-tjetrit në një mënyrë edukuese dhe mbështetëse.